Rinia Islame Lushnje

Vjehrra dhe nusja- aktualitet sfidues

Shpërndaje me Postë Elektronike Printoje PDF

Besimtari që synon të ftojë në të mirë e të largojë nga e keqja, duke marrë parasysh realitetin e sotshëm, mund të ketë ndikim të dobishëm sepse në shoqërinë tonë ka mjaft vend për përmirësime. Kjo thirrje është nga gjërat që Allahu e do dhe porosit për të, prandaj gjithherë njeriu mund të gjejë vend për përmirësime e punë të mira. Familja zë një vend të dashur në zemrën e njeriut, me shpresën që të jetë sa më e formuar, e lumtur, e qetë dhe e moralshme. Për ta arritur këtë gjendje, brenda familjes duhet të ketë harmoni mes grave të shtëpisë, konkretisht mes vjehrrës dhe nuses.

argaiv1496

Raportet e këqija në këtë aspekt sot në shoqërinë tonë janë jo vetëm të shpeshta, por edhe të rënda. Fatkeqësisht, nganjëherë besimtaret nuk mund t’i durojnë sprovat në jetë ose i durojnë me ankesa e kushtëzime, pasi nuk e duan apo nuk e pëlqejnë nënën e burrit, atë që dikur e rriti dhe e edukoi me mund bashkëshortin e saj. Nga ana tjetër, fatkeqësisht ka nëna që nuk mund ta duan e çmojnë nusen e djalit, atë grua që la familjen e saj dhe erdhi me dëshirë të madhe tek familja e burrit.

Pikësynimi primar, o robëresha të Allahut, është të kihet parasysh frika nga Allahu, se kjo botë është kalimtare, se njeriu vdes e me vete merr vetëm veprat. Shtrojmë pyetjen, a do të ketë hise ndopak në shpërblim ajo që e kaloi jetën me grindje e urrejtje brenda familjes? Allahu thotë: “Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.”[1]

Gjysma e fesë është të kesh një grua besimtare të mirë. Kjo është njëra nga fjalët e mëdha përkujtuese ndaj femrave. Një grua që ka fenë e mirë duhet të sjellë harmoni në familjen e saj, duke pasur mirësjellje e moral të madh. Jo më kot Allahu e bëri sabrin shkak për shpërblime madhore, të cilat Ai ia dhuron njeriut në ahiret. Le të kujtojmë këtu fjalën e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e cila është: “Nëse Allahu ia dhuron (ia cakton) dikujt një bashkëshorte besimtare, Ai e ka ndihmuar në gjysmën e fesë. Prandaj, le ta ketë frikë Allahun në gjysmën tjetër.”[2]

Gruaja besimtare ka armë moralin e mirë, duke e shfaqur në mënyrë të patjetërsueshme ndaj nënës së burrit të saj. Çdo grua e mençur e di se kur e do burrin, atëherë do edhe familjen e tij, do prindërit e tij, veçanërisht nënën. Si ka mundësi që një njeri të jetë i kënaqur me gruan e tij nëse ajo nuk tregon respekt ndaj prindërve të tij?! Nëse mendohet se gjithçka kalohet duke u shpërngulur me egoizëm për shkak të vjehrrave dhe dalja për të jetuar vetëm, kështu gruaja nuk jep kontribut për përmirësimin e raporteve, apo nëse mendohet se është vepër e mirë të ikësh nga fytyra e nënës së burrit, atëherë respekti ndaj burrit është i mangët ngase po tregohet injorim ndaj familjes së tij. Themi kështu sepse sot e kanë kthyer këtë gjë në një pikë të lehtë veprimi, si zgjidhje sipas tyre: injorim, duke mos e nisur së pari me përmirësimin e vetes, pastaj edhe të vjehrrës. Atë që e do Allahu, ai është i dashur edhe tek të tjerët, e duan edhe krijesat.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Besimtari (është ai që) i do të tjerët dhe e duan atë, e nuk ka hair në atë që as nuk i do të tjerët dhe as nuk e duan.”[3]

Kjo është njëra nga arsyet që duhet të të shtyjnë o grua muslimane që jeta jote të jetë sa më dinjitoze në raport me Allahun, pastaj dhe me të tjerët. Ata që janë të dashur edhe u zë vend fjala në zemrat e të tjerëve mund të jenë nga ata që thërrasin në fenë e Allahut me shumë sukses, prandaj çdo gjë kthehet tek qëllimi “për hir të Allahut”. Për hir të Allahut, një raport i mirë vjehërr-nuse tregon një besim të mirë.

Janë të pashmangshme edhe rastet kur njerëzit për shumëçka bëjnë fajtorë të tjerët, ndërsa për vete ankohen për padrejtësitë që u ndodhin, duke thënë “ma bëjnë kështu, më thonë ashtu”. Por, a mendon ndonjëherë se fatkeqësitë të vijnë si pasojë e veprave të tua? Njëri bën një fyerje, tjetri ia kthen, pastaj zënka vazhdon. E ai që humb në fund të gjithë kësaj ia qan hallin vetes, por nuk mendon se edhe ai e kishte gabim, duke e vazhduar dhe trashur problemin dhe grindjen. Allahu ka thënë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet është si pasojë e asaj që keni bërë vetë...”[4] Prandaj, oj grua muslimane, fillo nga vetja se njeriu gjithmonë gjen vend tek zemra e tij për përmirësime.

Hidhërimi haset shpesh në këtë mes. Megjithatë ata që “e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve”[5] janë këta për të cilët Allahu thotë: “...do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë”.[6] E si të mbahet një zemërim dunjaje me anëtarin tënd të familjes përballë një shpërblimi të tillë madhështor, të cilin besimtarët e synojnë?!

Për një besimtare vlen një përkujtim i tillë, ngase nëse nusja është e mirë, edhe vjehrra do të jetë e mirë. Megjithëkëtë, ne i nderojmë të moshuarit,[7] se kjo është nga etika prej Sunnetit. Së bashku me zemërimin gërshetohet edhe polemizimi, si një nga fatkeqësitë në raportet familjare. Një kërcënim i madh erdhi në një hadith ku thuhet: "Njerëzit më të urryer tek Allahu janë polemizuesit e ashpër dhe ata që nuk lëshojnë pe në armiqësi.”[8] Pra, mund të ndodhë që kjo situatë të vazhdojë me ditë e muaj, plot polemika e duke mos lëshuar pe, ndërkohë që falja dhe heshtja[9] janë ato që shuajnë çdo gjë. Lukmani i mençur i thoshte djalit të tij: “Nëse të folurit është prej argjendi, atëherë heshtja është prej ari.”

Dije se po të mendonte njeriu më shumë për pozitën e tij në ahiret sesa për pozitën në këtë botë, atëherë do fitonte shumë me arritjen e kënaqësisë së Allahut, duke pastruar zemrën nga cytjet djallëzore, gjuhën nga fjalët ndjellëse fyese] dhe veprimet që të jenë sa më të mira kudo që është e kudo që shkon. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A doni t`ju tregoj se kush e ka të ndaluar zjarrin? I buti, i afrueshmi, i lehti (besimtar).”[10] Kjo pozitë kërkon mund që në familjet tona, ku duhet të tregojmë sa më shumë afërsi dhe butësi në gjërat ku mundemi të tregohemi të tillë.

Falja mbetet nga virtytet e çmuara që Allahu ia dhuron një njeriu, andaj falja është primare tek muslimanët. Kur nuk hakmerresh dhe mban hidhërimin, atëherë kjo gjë është falje. Allahu i Madhëruar në Kur'an thotë: “Por nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.”[11]

Urrejtja që ka hyrë ndërmjet nuses e vjehrrës sot po e thyen këtë moral të madh, duke mos i lënë vend faljes. Kjo cilësi tek shumë persona sot ka mbetur vetëm fjalë e thënë, ndërsa veprimet janë të kundërta. Askush nuk është i pagabueshëm, këtë duhet ta kenë parasysh të moshuarat që kërkojnë nuse jashtë suazave normale apo i fyejnë nuset e tyre për shkak se nuk u qëlloi siç deshën, edhe pse ajo është respektuese ndaj tyre dhe ndaj djalit të tyre.

Fizionomia ka zënë vend në zemra, e ndërsa zemra dhe veprat e mira po nëpërkëmbën po nuk u kënaq syri. Njëri nga problemet e kohës sonë është edhe shfaqja e nuseve nëpër shtëpi të huaja, e veshur dhe e zbukuruar, madje edhe nëse kjo veshje nuk është siç thotë Islami, por janë vjehrrat që ua kërkojnë. Ato duan të marrin lëvdata në adresë të nuses, duke u mburrur para të tjerëve. Por një gjë e tillë me të vërtetë që çorodit zemrat. Nuk janë të rralla rastet kur vjehrrat kërkojnë nga nuset që të vishen siç duan ato e jo siç thotë Islami. Disa të martuara, si rezultat i kësaj situate, vazhdojnë të qëndrojnë me veshje të mangët, duke ia përshtatur kohës e jo Islamit, madje vjehrrat ndërhyjnë jo vetëm në formën e mbulesës, por edhe në ngjyrat e saj.

Çdo grua duhet ta dijë se nuk guxon të ndërhyjë në mes Allahut dhe nuses së djalit të saj, duke kujtuar se ligjet e Allahut duhet të respektohen pa u bërë imponime, kërkesa e ankesa nga të tjerët. Sot muslimanet e nderuara për ta praktikuar Islamin lirshëm mund të përballen edhe me prindërit e tyre duke mos iu bindur, por për çudi vjehrrat presin që t’i dëgjojnë e t’u binden atyre! Kjo është një padrejtësi e madhe që po u shkaktohet motrave muslimane.

Ky shkrim aludon për atë se një motiv i tillë bëhet shkak i rënies në konflikte mes tyre dhe përhapjes së saj në familje, prandaj nënat dhe vjehrrat duhet ta ndryshojnë mentalitetin e tyre. Mos harro kurrë: Të keqen ktheje me të mirë! Nuk fituan gjë njerëzit që të keqen e kthyen me të keqe, u hakmorën, prishën nderin e vet dhe të të tjerëve, duke e manifestuar këtë me fjalë fyese e dashakeqëse. Islami na mësoi një qasje tjetër të problemeve apo mosmarrëveshjeve, siç e gjejmë edhe në këtë hadith, ku thuhet: "Ki frikë Allahun kudo që të jesh (kjo është lidhja me Allahun), të keqen pasoje me të mirë, ajo e fshin atë (kjo është lidhja me vetveten) dhe sillu me njerëzit me moral të mirë (kjo është lidhja me të tjerët)."[12]

Oj grua muslimane! Ajo që të shtyn për sjellje të mirë ndaj njerëzve është frika nga Allahu, pasimi i Islamit, shpërblimi i Allahut, arritja e kënaqësisë së Tij, arritja e kënaqësisë së burrit, rehatia dhe qetësia familjare, luftimi i të këqijave në tokë, morali ndaj të tjerëve, dashuria ndaj të tjerëve, lumturia familjare... Bëhu e dashur, bëje sprovën tënde shkak që të arrish xhennetin!

Albiona OLLURI

Rinia Islame Lushnje

Islami-autentik

 

______________

[1] Kaptina El-Bekare: 233.

[2] El-Hakim në "El-Mustedrek" (2/175), nr. 2681, Edh-Dhehebi thotë në "El-Telhisë" se hadithi është sahih. E transmeton Et-Taberani në "El-

Evsat" (1/522).

[3] Hadith i saktë, "Sahihul Xhami`", 6662.

[4] Kaptina Esh-Shura: 30.

[5] Kaptina Alu Imran: 134.

[6] Kaptina Alu Imran: 136.

[7] "Silsileti ehadith es Sahiha”, 5/230, nr. 2196, Muhamed Nasirudin el Albani, botuar nga “Mektebetul Mearif ”, 1415h-1995.

[8] Buhariu dhe Muslimi.

[9] Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush hesht, ka shpëtuar.” (Transmeton Ahmedi. Albani e ka cilësuar të vërtetë).

[10] Hadith hasen, Tirmidhiu, nr. 2488, "Musned Ahmed", 3938; Taberani, "El Kebir", 841, etj.

[11] Kaptina Et Tegabun: 14.

[12] Tirmidhiu, nr. 1987.

Hosting & Design: Albwebs.net Të gjitha te drejtat e rezervuara Ril-al.com 2010-2011.